Muzeu Etnografik është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake, aty ku ndodhet shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, e gjysmës së dytë të shek. XIX. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtrisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban një koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri.
Gjiri i Lalëzit Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, gjiri i Lalzit në komunën e Ishmit mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj. Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalzit.
Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.