Muzeu Etnografik është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake, aty ku ndodhet shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, e gjysmës së dytë të shek. XIX. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtrisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban një koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri.
TORRA VENECIANE Ajo do t’ju bjerë menjëherë në sy sapo të mbërrini në sheshin e vogël, në krah të monumentit të “Mujo Ulqinakut”, thuajse përballë hyrjes kryesore të portit. Është një ndërtim i ngritur mbase mbi një kullë më të vjetër. Koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit XV, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin. Diametri i saj është 16 metra dhe lartësia 9.10 metra. Ajo përbëhet nga një kat i vetëm, i cili është i pajisur me pesë frengji topash. Një shkallare ju çon lart në tarracën me bedena. Këtu është ndërtuar një lokal i këndshëm nga ku mund të sodisni fare qetësisht detin dhe të gjithë atmosferën e vjetër që ju rrethon.
Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, gjiri i Lalzit në komunën e Ishmit mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj. Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalzit.